Françesku: të gjithë jemi të thirrur për shenjtëri, model i jetës kundër rrymës - vatican news
Françesku: të gjithë jemi të thirrur për shenjtëri, model i jetës kundër rrymës - vatican news"
Play all audios:
Është Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve e Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, na fton të reflektojmë për dëshminë e tyre, burim gëzimi e shprese në ringjalljen. E edhe për udhën, e
themeluar mbi Lumnitë, që mund ta përshkojmë të gjithë, secili sipas mënyrës së vet të papërsëritshme, me atë butësi, për të cilën bota ka aq shumë nevojë. R. SH. - VATIKAN Sot Kisha kremton
festën solemne të të Gjithë Shenjtorëve! Atyre që u shpallën gjatë historisë, por edhe shumë të tjerëve, që kaluan një jetë kristiane të thjeshtë e të fshehur, plot me fe e dashuri për
Zotin e për të afërmin. Shenjtorët - na kujton vazhdimisht Françesku - janë me të vërtetë të lum, sepse zbuluan sekretin e lumturisë së mirëfilltë. Sot ne rijetojmë me ta e me të dashurit,
që nuk janë më mes nesh, por që shpresojmë se do t’i ritakojmë përsëri. Është ditë kur Kisha na fton të reflektojmë për këtë shpresë të madhe, me themele në ngjalljen e Krishtit. Këto,
fjalët plot optimizëm të fesë sonë, me të cilat e nisi Papa lutjen e Engjëllit të Tënzot, nga dritarja e Engjëllit, në Ditën kushtuar Gjithë Shenjtorëve. Shenjtorët e të Lumtë janë
dëshmitarët më bindës të shpresës së krishterë, sepse e jetuan plotësisht jetën e tyre, me gëzime e vuajtje, i jetuan plotësisht Lumnitë, që i predikoi Jezusi e që sot i ridëgjojmë në
liturgji _(krh Mt 5,1-12)._ Lumnitë ungjillore - vijoi Ati i Shenjtë - janë udha e shenjtërisë. E, në vijim u ndalua tek dy pej tyre, e dyta dhe e treta. Lumnia e dytë është kjo - kujtoi:
_“LUM ATA QË QAJNË, SEPSE DO TË NGUSHËLLOHEN”._ Duken fjalë kontradiktore - do të mendojë ndokush - sepse lotët zakonisht nuk janë shenjë gëzimi e lumturie. Njeriu qan kur vuan, kur vdes
vetë a i vdes kush, qan nga mëkati, nga gabimet, nga jeta e çdo dite, e ligësht, plot me pengesa e vështirësi. Jetë shpesh herë e vënë në provë nga mosmirënjhja e moskuptimi. A ia vlen të
jetohet? Përgjigjen na e jep Jezusi, që i shpall të lum ata, të cilët qajnë për këto realitete e, pavarësisht nga gjithçka, i besojnë Zotit e strehohen nën hijen e Tij. Nuk janë indiferentë,
e aq më pak e bëjnë zemrën gur nga dhimbja, por shpresojnë, durimtarë, në ngushëllimin e Zotit. E këtë ngushëllim nuk e provojnë pasi vdesin, por këtu, në këtë jetë! LUM TË BUTËT, SEPSE DO
TË TRASHËGOJNË TOKËN! Në lumninë e tretë Jezusi pohon: “Lum të butët, sepse do të trashëgojnë tokën!”. Butësia është tipar i Jezusit i cili, duke folur për vete, kujton: “Mësoni nga unë, që
jam zemërbutë e i përvujtë”. E Papa shpjegoi se të butë janë ata, që e sundojnë vetveten, që i krijojnë hapësirë tjetrit, që e dëgjojnë dhe e respektojnë mënyrën e tij të jetesës, nevojat e
tij, kërkesat. Nuk e nënvleftësojnë, as e përbuzin, nuk duan të ngrihen e të sundojnë mbi gjithçka, as t’i imponojnë idetë e tyre e interesat e tyre, në dëm të të tjerëve. Këta njerëz, që
mendësia njerëzore nuk i përfill fare, janë më të çmuarit para syve të Zotit, i cili u jep në trashëgim tokën e premtuar, domethënë, jetën e pasosur. Edhe kjo lumni nis këtu poshtë - e
përmbushet atje nalt, në qiell. TË ZGJEDHIM PASTRINË, BUTËSINË, MËSHIRËN Në vijim Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët të zgjedhin pastrinë, butësinë, mëshirën; t’ia besojnë vetveten Zotit në
varfërinë e shpirtit e në vuajtje; të angazhohen për drejtësinë e për paqen. E kjo sipas mendësisë së kësaj bote, sipas kulturës së pasjes, të dëfrimit pa kuptim, të arrogancës ndaj më të
ligshtëve, do të thotë të shkosh kundër rrymës, UDHA E SHENJTORËVE DHE E TË LUMËVE ËSHTË KUNDËR RRYMËS Po shenjtorët e të lumët ecën pikërisht në këtë udhë! Solemniteti i sotëm, në të cilin
kremtohen Gjithë Shenjtorët - nënvizoi Papa - na kujton thirrjen personale dhe universale për shenjtëri e na propozon modele të sigurta për këtë udhë, të cilën gjithkush e përshkon në
mënyrën e vet të papërsëritshme, sipas “fanatazisë” së Shpirtit Shenjt. Mjafton të mendosh për larminë e dhuratave e të historive konkrekte të shenjtorëve, që njohu Kisha në rrjedhë
shekujsh e që na i propozon vazhdimisht si dëshmitarë të një Ungjilli të vetëm. MBRETËRESHA E GJITHË SHENJTORËVE NA NDIHMOFTË TË ECIM NË UDHËN E SHENJTËRISË “Butësia mund të na ndihmojë të
ecim në rrugën e shenjtërisë” – përsërti Papa, para se të kujtonte se kjo familje e pafundme besimtarësh dishepuj të Krishtit, e ka një Nënë. Virgjërën Mari. Ne e nderojmë me titullin
Mbretëresha e gjithë Shenjtorëve. Ajo na ndihmoftë ta ushqejmë dëshirën për shenjtëri, duke ecur në udhën e Lumnive.
Trending News
Të meditojmë me ungjillin e festёs tё tё ngjiturit tё zojёs sё qiell - vatican newsMë pëlqen, o Mari, kjo festa jote,/që vjen në mes gushtit/e na kujton/se caku ynë nuk është prehja,/po lumturia e Hyjit....
Françesku: të gjithë jemi të thirrur për shenjtëri, model i jetës kundër rrymës - vatican newsËshtë Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve e Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, na fton të reflektojmë për dëshminë e ty...
Latests News
Françesku: të gjithë jemi të thirrur për shenjtëri, model i jetës kundër rrymës - vatican newsËshtë Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve e Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, na fton të reflektojmë për dëshminë e ty...
Të meditojmë me ungjillin e festёs tё tё ngjiturit tё zojёs sё qiell - vatican newsMë pëlqen, o Mari, kjo festa jote,/që vjen në mes gushtit/e na kujton/se caku ynë nuk është prehja,/po lumturia e Hyjit....